
1. “Jam i rraskapitur!”, – ankohet Teo dhe ulet në tavolinën e ngrënies. “Dhe po vdes urie!”, – shton Ana duke hedhur çantën në qoshe, ku ajo përplaset me murin dhe për pak rrëzon portretin e familjes të bërë
Krishtlindjen e kaluar. Është koha e darkës dhe pas një dite të gjatë në shkollë, Ana dhe Teo janë gati për një vakt të bollshëm.
“Ka pulë me patate në furrë”, – thërret babai nga dhoma e ndenjjes, ku po merret me hekurosjen. Fëmijëve iu ndritin sytë. Pulë, ushqimi i tyre i preferuar në jetë të jetëve! “Sa e mirë!”, – thotë Ana duke zbardhur dhëmbët. Secili mbush pjatat me një llokmë të madhe, plot e përplot me patate dhe sallatë me domate, dhe ia nisin duke u përtypur dhe duke u mbllaçitur, ndërsa fytyrat u mbulohen me lëngun e pulës nga veshi në vesh. Nino, qeni i familjes, po feston poshtë tavolinës duke lëpirë të gjitha copëzat e ushqimit që hedhin Teo dhe Ana.
Megjithatë, pas pak, fëmijët ngadalësojnë. Ana fillon të luajë me ushqimin e mbetur në pjatë ndërsa Teo fërkon barkun e mbushur plot. “Boll hëngra”, – thotë Ana dhe e zë lemza. “Nuk mund ta mbaroj të gjithën”. “S’ka gjë”, – shton Teo dhe hap kopsën e xhinseve. “Le ta hedhim në kosh atë që mbeti”.
PYETJA: A merrni në pjatë më shumë ushqim se sa ju hahet? Kur ndodh kjo?
Çfarë bëni ju ose prindërit tuaj zakonisht me ushqimin që nuk e hani? Mendoni se hedhja e ushqimit është problem?
Kështu, Ana shtyn prapa karrigen e saj me një zhurmë gërvishtëse dhe është gati të hedhë pjesën e mbetur të kofshës së pulës, kur papritmas shpërthen një muzikë e lartë. Tatatataaaaaaa!

2. Ana për pak rrëzon pjatën dhe Teo frikësohet aq shumë sa bie nga karrigia duke shpërndarë copëza pule, patate dhe domate në gjithë kuzhinën. Brraamm! Dera hapet rrëmbimthi, fotografia e familjes bie
poshtë dhe Nino lëshon një angullimë dhe fshihet poshtë tavolinës. Brenda hyjnë duke kërcyer dy fëmijë me rroba me ngjyra të ndezura dhe me pelerina. “Mos!”, – thirrën njëzëri. “Mos e shpërdoro ushqimin!” Ana dhe Teo i ngulin sytë njëri-tjetrit me gojën hapur.
PYETJA: Ç’mendim keni? Kush mendoni se janë këta fëmijë? Përse janë veshur në atë mënyrë?
Çfarë mendoni se duan nga Ana dhe Teo?
“Na falni që ju trembëm”, – thotë më në fund njëri nga fëmijët. “Por nuk mund t’ju lejojmë ta bëni këtë”, dhe ashtu vetullngrysur tund pak kokën.“Të bëjmë çfarë?”, – belbëzoi Teo nga dyshemeja.
PYETJA: Çfarë mendoni se nuk mund t’u lejojnë fëmijët Teos dhe Anës?
“Nuk mund t’ju lejojmë të hidhni ushqimin”, – thotë më i vogli i të sapoardhurve. Ana turfullon. “Kjo është qesharake. E çfarë të bëjmë me ushqimin që ka mbetur? Nuk mund ta ha të gjithin, jam ngopur. Gjithsesi, ty s’ka ç’të intereson. Nuk e ke paguar ti atë ushqim”. Vajza tund gishtin në ajër. “E ke gabim. Hedhja e ushqimit na intereson të gjithëve. Dhe ne të dy, kursimtarët e ushqimit, po përpiqemi të sigurohemi që njerëzit ta dinë se pse nuk duhet ta shpërdorojnë ushqimin. Meqë ra fjala, unë jam Reina
dhe ai është Mika. Ne jemi “kursimtarët e ushqimit!” thirrën ata.

3. Për Anën dhe Teon, gjithë kjo zhurmë ishte goxha hutuese dhe shkëmbyen me njëri-tjetrin një vështrim dyshues. “Ata mendojnë se po ia fusim kot”, -tha mendueshëm Reina. “Le t’u tregojmë faktet”.
Mika nxori një ekran të bukur. “Shikoni”, – tha ai, duke treguar një foto që ishte shfaqur. “Çdo vit, secili nga ne hedh 100 kg ushqim. Kjo është katër herë më shumë se pesha ideale për një fëmijë 7-vjeçar, apo pesha e një elefanti bebe!”

4. “Në mbarë botën, rreth një e treta e të gjitha ushqimeve që prodhohen, nuk hahen. “Një e treta?”, – pyeti Teo dhe u ngrys në fytyrë.“ Kjo do të thotë që për çdo dy mollë që hahen, njëra shkon dëm ose humbet para se të
arrijë në tavolinat tona”, – shpjegon Mika. “Ti blen tre kos, por ha vetëm dy dhe e hedh tjetrin sepse është prishur në frigorifer. Tri karota shkulen, por njëra prej tyre hidhet sepse është shumë e vogël ose shumë e shtrembër ose sepse e kanë ngrënë minjtë në vendin ku po ruhej”.“Ose”, – thotë Reina dhe shikon nga pjata e Anës, – “ti ha dy kafshata të mëdha nga pula dhe e hedh të tretën”.Ana skuqet. “Akoma nuk po e kuptoj se pse kjo qenka një problem. Po harxhoj paratë e familjes sime, apo jo?”, – thotë ajo e trishtuar.

5. “Nuk është vetëm çështje parash”, – shpjegon Reina. “Prodhimi i ushqimit kërkon përdorimin e shumë prej atyre që ne i quajmë burime. Na duhet ujë që të rrisim bimët. Por në të njëjtën kohë, disa vende nuk kanë
mjaftueshëm ujë dhe toka atje kthehet në shkretëtirë. Madje disa njerëz nuk kanë as ujë të pastër për të pirë. Toka ku rriten bimët u jep shumë të mira dhe bëhet sa vjen e më pak e pasur për çdo bimë që rritet në të. Për më tepër, edhe ushqimi që përfundon i pangrënë zë vend. Ajo tokë nuk mund të përdoret për të rritur gjë tjetër në të njëjtën kohë, dhe kështu shpërdorohet”.

6. “Transportimi i ushqimit në dyqan dhe nga dyqani në shtëpi kërkon shumë karburant, krijon ndotje dhe kontribuon në ndryshimet klimatike”. “Dhe mund ta dini tashmë që këto janë shumë të këqija”, –
shton Mika. “Ndotja e bën më të vështirë për njerëzit, kafshët dhe bimët që të marrin frymë dhe kjo shkakton shumë probleme”.

7. “Blerja e ushqimeve dhe përgatitja e tyre për t’i ngrënë do kohë dhe mundim”, – shpjegon Reina. “Thjesht mendoni për kohën që harxhoi babai juaj duke gatuar darkën që ju po e hidhni! Akoma më shumë punë duhet për ta përgatitur ushqimin për shitje te ty ose te familja jote përpara se ai të vijë në shtëpinë tuaj. Shumë njerëz punojnë fort për të prodhuar, përpunuar dhe transportuar ushqimin përpara se ai të vijë te ju, dhe nëse e hidhni ushqimin, edhe kjo punë ka ikur dëm. Për më tepër, hedhja e ushqimit krijon mbetje që duhen trajtuar dhe shumë njerëz duhet të punojnë për të eliminuar mbetjet që mund të ishin shmangur”. “Pra, prodhimi i ushqimit kërkon shumë ujë, punë dhe karburant, dhe dërgimi i tij në shtëpitë tona krijon shumë ndotje dhe gaze me efekt serrë”, – përmbledh Mika. “Nëse e hamë ushqimin kjo s’përbën shumë problem. Por nëse e shpërdorojmë atë, kemi shpërdoruar gjithashtu gjithë këtë ujë dhe energji, si dhe kemi
kontribuuar në ndryshimet klimatike për hiçmosgjë”.

8. “Dhe për ta mbyllur”, – shpjegon Reina, – “ka shumë njerëz në botë që nuk kanë mjaftueshëm ushqim, jo vetëm në vendet larg nga këtu, por edhe pikërisht këtu, në qytetin dhe në shkollën tuaj. Dhe nëse e gjithë toka, uji dhe puna që përdoren për prodhimin e mbetjeve ushqimore do të përdoreshin për ushqim që hahet, atëherë do kishte më pak uri në gjithë botën.”

9. “Pra, pakësimi i shpërdorimit të ushqimit është i mirë për planetin tonë dhe për çdokënd që jeton në të?, – pyet Teo.Mika tund kokën: “Shpërdorimi i më pak ushqimeve do të thotë shpërdorim i më pak uji, më pak karburanti, më pak toke dhe më pak pune. Kjo do të thotë që me ushqimin në dispozicion do të ushqehen më shumë njerëz dhe më pak njerëz do të vuajnë nga uria. Kjo do të thotë gjithashtu që ju dhe familja juaj do të kurseni para dhe mund t’i harxhoni ato për gjëra të tjera të bukura”. Ana fishkëllen. “Pra si mund ta shmangim këtë, si e kishte emrin?”“Hedhja e ushqimit që mund ta kishit ngrënë quhet shpërdorim i ushqimit”, – shpjegoi Reina. “Dhe të gjithë mund të bëjmë shumë për të
shmangur shpërdorimin e ushqimit”

10a. Ushqimi shpërdorohet kur ne marrim shumë ushqim në pjatat tona.
10b. Ai shpërdorohet kur ne blejmë ushqim dhe nuk e hamë përpara se të prishet.
10c. Gjithashtu, ushqimi shpërdorohet kur restorantet dhe mensat e shkollës shërbejnë racione që janë shumë të mëdha ose kur kërkojmë shumë ushqim në pjatën tonë”
PYETJA: A keni qenë ndonjëherë në një restorant ku nuk e keni përfunduar dot atë që keni pasur në pjatë?E mbani mend se çfarë u bë me atë ushqim?
(Nëse shkolla ka një mensë: A mendoni se nuk mund të hani gjithçka që keni në pjatë gjatë drekës në shkollë? A kërkoni ndonjëherë që t’ju vendosin shumë ushqim në pjatë?)

11. “Mika thotë: “Pra, mbi të gjitha ne duhet të sigurohemi që të mos marrimmë shumë se sa hamë në pjatat tona. Në fund të fundit, mund të marrësh sërish ushqim nëse je më i uritur nga sa mendoje. Nëse racionet në mensë ose në restorant janë shumë të mëdha, mund t’u kërkoni që në fillim që t’ju shërbejnë një racion më të vogël. Nëse ju vendosin më shumë ushqim në pjatë, thjesht kërkojini prindërve/ kujdestarëve që ta vendosin atë në një tas të mbyllur në frigorifer, dhe ta
hani ditën tjetër. “

12. “Edhe kur jeni duke bërë blerje me prindërit sigurohuni që do të blini vetëm ato që mund të përdorni”, – shton Reina.
Mund të bindni dhe familjen të bëjë të njëjtën gjë, sa më shumë njerëz ta dinë se si të luftojnë kundër shpërdorimit të ushqimit, aq më mirë!” “Uau!” , – thirri Teo. “Pra, mënyra se si e trajtojmë ushqimin mund të bëjë vërtet ndryshimin?
Mika tund kokën: “Mund të bëjë një ndryshim të madh. Të gjithë hanë ushqim, ndaj të gjithë mund të bëjnë diçka për shpërdorimin e ushqimit”.
Teo pa Anën. “Mendon se mund ta bëjmë këtë?”
“Jam e sigurt që po”, – pohoi Ana. Ajo hodhi sytë nga pjata e saj. “Çfarë do të bëjmë me këtë ushqim tani?”
PYETJA: Çfarë mendoni se duhet të bëjnë me ushqimin?

13. “Jeni të uritur?”, – pyet Ana kursimtarët e ushqimit. “Për pulë?”, – buzëqesh Mika. “Gjithmonë!”
“Dhe ato që nuk i hamë, i fusim në frigorifer për nesër”, – shton Reina.

14. Fëmijët kanë një buzëqeshje rrezatuese. “Kur kursen ushqim,” ,
– thërret Reina, dhe të gjithë i bashkohen: “bën një punë të mirë!”